Bajrami është gati për një ekip të madh, por Reja e do më mirë në mbrojtje!

I duhet edhe pak që të jetë vërtet pjesë e elitës. Të paktën ky është mendimi që ka për Nedim Bajramin, trajneri i tij në kombëtaren shqiptare, Edi Reja. Duke folur për mediat italiane, tekniku kuqezi shprehu një vlerësim të lartë për mesfushorin që luan për Empolin në Serinë A, por që kërkohet nga klube me shumë më tepër emër. “Bajrami ka cilësi teknike jashtë normales, – tha veterani i stolit, – duhet që të përmirësohet në fazën mbrojtëse, por gjithsesi që tani është gati për një skuadër të madhe”. Mesfushori 23-vjeçar është në shënjestrën e Milanit, ndërsa për shërbimet e tij interesohen edhe shumë klube të tjerë të elitës së futbollit italian si Napoli, Lacio apo Atalanta.

Bajrami po zhvillon një sezon shumë të mirë për Empolin me 6 gola në Serinë A dhe me 3 rrjeta në Kupën e Italisë, ndërsa ka edhe 3 asiste në kampionat. Reja po ashtu ka folur me superlativa për Berat Gjimshitin, duke e cilësuar si një nga mbrojtësit më të mirë të Europës, i fortë në ajër, në leximin e lojës dhe në zgjedhjen e momentit të duhur. Tekniku i kombëtares vlerësoi të riun Kristijan Asllani që luan tek Empoli me Bajramin, duke thënë se është në rritje të vazhdueshme, dhe se ka mentalitetin e duhur.

Sfidanti.al