Dinamo humb portierin Simoni, si ia bën ndaj Egnatias e Kastriotit?!

Në momentin që ndodhet kjo skuadër, ka nevojë për të gjithë. Sidoqoftë, Dinamo ka marrë një nga lajmet më të këqija të mundshme në këtë fund sezoni, sepse një nga lojtarët e saj më të mirë ka pësuar dëmtim të rëndë. Portieri Simoni u lëndua në ndeshjen e Shqipërisë U21 ndaj Anglisë U21 në “Elbasan Arena” dhe braktisi fushën në pjesën e dytë. Gardiani 17-vjeçar, një nga zbulimet e edicionit, ishte duke zhvilluar një ndeshje shumë të mirë në eliminatoret e Europianit, me disa pritje dhe ndërhyrje shpëtimtare ndaj anglezëve që ishin tepër superiorë. Kjo ishte ndeshja e tij e parë me ekipin kombëtar Shpresa, madje duke qenë shumë më i ri sesa të tjerët në fushë.

Simoni doli nga fusha me barelë pas dëmtimit në gju, ndërsa më pas iu nënshtrua vizitave mjekësore nën kujdesin e klubit. Burime nga Dinamo bëjnë me dijë se analizat e djeshme mjekësore ende nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare për kohën e mungesës së portierit 17-vjeçar, veçse parashikimi nuk është aspak optimist. Sipas të gjitha gjasave, kryeqytetasit do ta humbasin Simonin për pjesën e mbetur të sezonit në Abisnet Superligë. Një minus i madh sepse Dinamo është në vend të parafundit dhe rrezikon seriozisht rënien në Kategorinë e Parë, ndërsa këto javë do të ketë ndeshje përcaktuese ndaj Egnatias e Kastriotit.

Sfidanti.al