Rrahmani, i dyti shqiptar i Kosovës kampion i Italisë pas Naim Kryeziut!

Në qiellin e shtatë u ngjit edhe ai. Festa e titullit për Napolin është edhe shqiptare pasi një futbollist nga Kosova fitoi bashkë me të tjerët. Ky është Amir Rrahmani, mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, titullar i padiskutueshëm i skuadrës së trajnerit Luçiano Spaleti, madje me kontribut jo vetëm në prapavijë. Me dy gola e një asist këtë sezon të Serisë A, futbollisti 29-vjeçar ishte vërtet i rëndësishëm, ndonëse humbi 8 ndeshje, nga të cilat dy për dëmtim. Rrahmani bëhet i dyti shqiptar kampion i Italisë, pas Naim Kryeziut që ia doli në 1943 me Romën. Edhe sulmuesi i atëhershëm, që luajti në Shqipëri për Tiranën, ishte nga Kosova, lindur pikërisht në Gjakovë.

Sidoqoftë, djaloshi i sotëm me origjinë nga Prishtina, është i pari futbollist që shpalet kampion në Serinë A duke qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës, pasi në kohën e Kryeziut ky ekip nuk ekzistonte. Rrahmani e nisi karrierën tek Drenica për ta vazhduar tek Partizani në Superligën shqiptare në 2014, ku luajti për dy sezone. Më pas kaloi në Ligën e Parë të Kroacisë ku shkëlqeu radhazi për RNK Splitin, Lokomotivën e Zagrebit dhe Dinamon e Zagrebit. Në Itali ka 4 vjet që luan, gjithmonë për Napolin, për të cilin po i afrohet kuotës së 100 ndeshjeve, duke pasur 7 gola e 3 asistë, ndërsa më në fund arriti një sukses kaq të madh, saqë u shpall kampion me Të Kaltrit, 33 vjet pasi ia dolën me Maradonën.

Sfidanti.al