Një ekip i kategorisë së katërt i bëri vend vetes mes 16 më të mirëve të Kupës së Gjermanisë për këtë sezon. Quhet Rot-Vajs Esen, pra kuqebardhët e Esenit, që mundën 3-2 në stadiumin e tyre ekipin e Bundesligës së dytë, Fortuna Dyseldorf. Ishte një mbrëmje tipike gjermane, me reshje shiu dhe me temperatura të ulëta, por kjo nuk i pengoi tifozët vendas që të bënin një spektakël piroteknik në përfundim të ndeshjes, jashtë stadiumit.
Engelman kaloi vendasit në epërsi, pastaj Henings barazoi. Pjesa e parë u mbyll 2-1 për Esenin me golin e Kel-Gomezit, ndërsa Kefkir në 70’ dha epërsinë 3-1. Henings me penallti shkurtoi shifrat në 87’, por pa dobi. Dyseldorfi luajti më mirë, domethënë mbajti topin 69 për qind dhe bëri 13 gjuajtje ndaj 8 të vendasve, por kjo nuk u kthye në rezultat.
Kjo ishte e papritura e madhe e kupës, ndërsa ndodhi edhe një tjetër kur Grojter Fyrti i Bundesligës së dytë eleminoi Hofenhajmin e Bundesligës pas penalltive. Sonte priten dy duelet e fundit, Leverkusen-Frankfurt dhe Holshtajn Kil-Bajern për të plotësuar 16 skuadrat e turit të dytë dhe për t’u hedhur shorti.
Sfidanti.al