Gazetari i njohur spanjoll, Giliem Balag, që ndjek, veçanërisht, zhvillimet te Reali i Madridit e Barcelona dhe që ka botuar, deri tani, disa libra dhe biografi për dy lojtarët më të mirë në botë, Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, si edhe për rivalitetin mes tyre, zbulon arsyen e vërtetë, sipas tij, se përse futbollisti portugez u largua nga “Santiago Bernabeu” për te Juventusi. Ronaldo u largua nga Madridi, pasi klubi torinez pagoi për të 117 milionë euro dhe ai nënshkroi një kontratë katërvjeçare me “Zonjën e vjetër” që do t’i sigurojë atij 30 milionë euro në vit që Reali nuk donte t’ia jepte atij. Por, sipas Balagut, Ronaldo nuk donte vetëm paratë, por shumë më tepër nga klubi “mbretëror”!
Media që nga ardhja e tij në Itali, po hamendëson lidhur me arsyet e largimit të asit portugez nga “Bernabeu”, duke vendosur si arsye të parë pagën e tij më të lartë që ai kërkonte, por që nuk ia jepnin në Madrid, si edhe problemet me shmangien nga ai të pagimit të taksave, grindjet e tij të herëpashershme me presidentin Florentino Perez… Por gazetari i mësipërm konsideron se arsyeja e vërtetë e largimit të Ronaldos është se ky i fundit donte që të bëhej gjithçka te ky klub madridas, ndërsa Perezi nuk e lejonte që të bëhej i tillë.
“Ronaldo nuk donte vetëm para, ai donte që të bëhej gjithçka te Reali. Ai kishte nisur ta ndjente se nuk ishte më aq i dëshiruar atje si më parë. Kam mendimin se edhe sikur t’ia kishin bërë pagën aq sa donte, ai nuk do të rrinte shumë te Reali. Kurse tani ai duhet t’ua ulë “piacën” kërkesave të veta, sepse Juventusi nuk është Reali”, thotë Balagu, duke shtuar:
“Unë kam biseduar me shumë njerëz të tij të afërt më Madeira, duke hulumtar fëmijërinë e tij. Ai është rritur pa baba që ka qenë alkoolist, kështu që kërkon dashurinë që ai kurrë nuk e ka patur. Ai dhe Mesi janë shumë të ngjajshëm, rrugët e tyre të jetës janë të ngjajshme, por argjentinasi është më i zgjuar. Kristiano është më shumë i sinqertë, ai kërkon dashuri dhe vëmendje, por nuk di sesi mund të bëhet i dëshiruar. Ronaldo do që ekipi të luajë për të, kurse Mesi luan për ekipin. Kristiano kurrë nuk do të ma fal mua se unë nuk jam një nga njerëzit e tij. Por, unë nuk jam zëdhënësi i askujt, unë vetëm se kërkoj të vërtetën për këtë kampion, të cilin unë e vlerësoi jashtëzakonisht shumë”, vuri në dukje Balagu.
Sfidanti.al