Ronaldo në gjurmët e Bekamit, Juvja e do në ekip edhe 39 vjeç!

Me anglezin e famshëm e lidhin popullariteti në të gjithë botën. Kristiano Ronaldo është ende 35 vjeç, por sipas planeve të Juventusit, ai mund të luajë në nivele të larta deri 39, dhe të ndihmojë klubin italian për të fituar edhe në fushë, por sidomos jashtë saj. Në këtë kuptim, CR7 i ngjan Dejvid Bekamit, që luajti deri 38 vjeç, edhe pse kohët e fundit në SHBA, dhe që ishte një “minierë ari” për klubet dhe sponsorët. Një herë, thuhet se presidenti i Realit, Florentino Perez, u shpreh se “më mirë shes “Bernabeun” se Bekamin”.

Ronaldo ka kontratë me Juventusin deri në 2022, kur të jetë 37 vjeç. Ai synon të fitojë Championsin, dhe torinezët do të bëjnë çmos për t’u forcuar e për t’ia plotësuar dëshirën. Me një ekip të fortë, Championsi mund të fitohet edhe 39 vjeç dhe Ronaldo këtë e di. Superylli portugez është në formë shumë të mirë dhe pritet që të mbetet udhëheqës i “Zonjës së Vjetër” me personalitetin dhe potencialin e tij. Ai ndoshta do t’u afrohet legjendave të futbollit që luajtën në moshë të madhe si Gigs, Zaneti apo Toti që ishin në fushë deri 41 vjeç, Mateus që luajti deri 39 vjeç, Zllatan Ibrahimoviçit që është 38 vjeç në nivele të larta, Romarios që luajti deri 43 vjeç dhe Stenli Metjusit që arriti deri në 46 vjeç.

Sfidanti.al