Ka gjetur një trajner që mund ta quajë edhe një shok, dhe kryesorja ka gjetur një bashkëpunëtor me të cilin ka shpresë se mund të fitojë trofeun e tij të ëndërruar. Kristiano Ronaldo ka vetëm një fiksim në karrierë, dhe ky quhet Champions, të cilin mendon se mund ta fitojë këtë sezon me Andrea Pirlon në stolin e Juventusit. “E ardhmja e Juventusit është e shkëlqyer, – tha ai, – ne jemi në fillim të sezonit, me një trajner të ri, me ide të reja, por skuadra po punon mirë. Skuadra buzëqesh me Pirlon, dhe jam i bindur që do të luftojmë për trofe, për Serinë A dhe Championsin. Këtë vit mund t’ia dalim, dhe nëse e fitojmë Championsin do të isha njeriu më i lumtur në botë”.
Portugezi e ka fituar 5 herë Ligën e Kampionëve, fillimisht me Mançester Junajtidin në 2008, pastaj me Realin e Madridit në 2014, 2016, 2017 e 2018. Pirlo e ka fituar Championsin si futbollist dy herë me Milanin në 2003 e 2007, ndërsë me Italinë fitoi Kupën e Botës në 2006. “Ky ishte një hap prapa, – tha Pirlo për ndeshjen ndaj Romës, – por, kjo është normale, ndodh në fillim të sezonit. Ishte një provë karakteri dhe në këtë aspekt ishim shumë mirë. Natyrisht, kemi shumë punë për të bërë. Nuk di të them nëse Interi është më mirë se ne, do të luftojmë deri në fund”.
Sfidanti.al