Herdi Prenga shtyn Rigën drejt titullit në Letoni, Çekiçi do revansh në Slloveni!

Në Letoni luan sepse babai i tij nuk donte nepotizëm. Herdi Prenga, djali i trajnerit Besnik Prenga, është larguar prej kohësh nga Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci, dhe është stabilizuar si një lider tek Riga, në Ligën e Parë letoneze. Se çfarë ndikimi ka ai në skuadër u duk në ndeshjen e vështirë në fushën e Spartaksit në javën e 20-të. Qendërmbrojtësi shqiptar ishte i pranishëm në sulm e në mbrojtje, duke krijuar rrezik për vendasit, e duke bërë edhe ndonjë gabim, por fundi ishte i lumtur.

Pasi Spartaksi kaloi në epërsi në pjesën e parë me penalltinë e Belakoviçit, Riga reagoi dhe barazoi me Stuglisin kur duheshin edhe 15 minuta lojë. Në fund, Prenga u hodh në sulm dhe fitoi atë që u bë penalltia vendimtare. Ishte minuta e 95-të dhe mbrojtësi 26-vjeçar u tregua i sigurt duke marrë në zotërim topin, e duke ekzekutuar saktë për golin e fitores 2-1. Riga kryeson kampionat me 54 pikë, 6 më shumë se vendi i dytë, pra i ka të gjitha shanset që të fitojë titullin kampion.

“Ishte një ndeshje shumë e fortë sot, – tha Prenga për televizionin e klubit, – dua të përgëzoj gjithë skuadrën dhe trajnerët, sepse ishte e vështirë të luanim sot, pas ndeshjes me Sëlltikun, ku patëm emocione të forta dhe shpenzuam shumë energji. Nuk ishim në maksimum, nuk luajtëm shumë mirë, por treguam karakter dhe shfrytëzuam cilësitë që kemi në ekip. Përsa i përket golit tim, ai ishte shansi i fundit dhe unë dola në sulm. Nuk kishim çfarë të humbsnim, e prisja atë top dhe e mbrojta mirë duke fituar penallti. Kisha shumë besim, e dija se do të shënoja, nuk pata asnjë problem”.

Një tjetër shqiptar i dalluar këtë fundjavë ishte Endri Çekiçi. Mesfushori i kombëtares fitoi penallti në ndeshjen e Ligës së Parë të Sllovenisë, që ekipi i tij Olimpija e Ljubljanës e fitoi 3-2. Çekiçi ishte aktiv dhe njëri nga lojtarët më të mirë të nënkampionëve sllovenë.

Sfidanti.al