Gjëja më e bukur e të gjallëve është përshtatja. Darvini e ka spjeguar që prej një shekulli e gjysmë, dhe studiuesi i famshëm do të ishte mrekulluar nga Kristiano Ronaldo nëse do të ishte ende në jetë. Numri 7 i Realit, lojtar “all round” (pra në të gjithë fushën), deri dy vjet më parë, është kthyer sot në një qendërsulmues tipik. Aftësia për të ndryshuar “aerodinamikën” tani që “motori” nuk është më ai i pari, e bën CR7-ën edhe më shumë pjesë e legjendave të futbollit.
Ashtu si ndaj Bajernit, edhe kundër Atletikos, Kristiano ishte në rolin perfekt të numrit 9, me Realin që nuk kishte aspak nevojë të krijonte ndonjë skemë me “9” të fshehur, pasi sulmuesi dallohej qartë që nga larg. Veçse bëhej fjalë për një sulmues që gjithsesi di të luajë në krahë, sidomos majtas, që di edhe të tërhiqet në mesfushë, ndonëse shumë më rrallë se dikur.
“Ron” ka tani 400 gola me fanelën e Realit, dhe 103 në Champions, kur Atletiko ka shënuar gjithsej 100 gola në këtë kompeticion. Presidenti Florentino Perez vrapoi në fushën e stërvitjes për t’i dhuruar kampionit të tij më të madh një fanelë në nderim të 400 golave. Me siguri ai do të kishte dashur t’i jepte një fanelë edhe Zinedin Zidanit, pasi ishte trajneri që krijoi Ronaldon “e ri”. Trajneri e la shumë më tepër në stol dhe Kristiano mësoi se nuk mund të luante gjithnjë. Ai nuk ka më shpejtësinë dhe rezistencën e dikurshme, edhe pse fuqia dhe aftësia për të shënuar mbeten po ato.
Ekziston mundësia, dhe Ronaldo e ka thënë hapur ndonëse duke qeshur, që portugezi i madh të luajë deri në moshën 40-vjeçare, pra deri në 2025 dhe të arrijë nivele edhe më të larta shënimi. Në fund të fundit, si sulmues mund ta “hajë bukën edhe kot”, të jetë “dembel”, pra të bëjë rolin klasik të golshënuesit oportunist që vrapon vetëm 30 metra për të shënuar një gol. Në “pleqëri” kemi një Ronaldo që është kthye rnë Gerd Myler.
Sfidanti.al