Jannik Sinner hyn në histori, një asteroid merr emrin e tij

Ylli italian i tenisit, Jannik Sinner, ka marrë një nderim të veçantë që shkon përtej botës së sportit. Një asteroid që orbiton në brezin kryesor mes Marsit dhe Jupiterit do të mbajë zyrtarisht emrin e tij. Vendimi u ratifikua më 15 qershor nga Grupi i Nomenklaturës së Trupave të Vegjël të International Astronomical Union, duke e përfshirë emrin “(120097) Janniksinner” në buletinin zyrtar astronomik. Asteroidi u zbulua më 10 mars 2003 në Observatorin e Campo Imperatore nga një ekip astronomësh italianë. Propozimi për t’i vendosur emrin e kampionit italian erdhi nga astronomët Fabrizio Bernardi dhe Maura Tombelli, të cilët vlerësuan jo vetëm sukseset sportive të Sinnerit, por edhe vlerat që ai përfaqëson.

“Ne deshëm t’ia dedikonim këtë asteroid Jannik Sinnerit jo vetëm për triumfet e tij në tenis, por edhe për rezistencën, korrektësinë dhe përkushtimin që tregon brenda dhe jashtë fushës. Ai është një pikë referimi për brezat e rinj”, deklaruan astronomët. Në citimin zyrtar të miratuar nga IAU, Sinner përshkruhet si një nga tenistët më të mirë në botë, fitues i dy titujve në Australian Open, një në Wimbledon dhe një në US Open, si dhe dy herë pjesë e ekipit fitues të Kupës Davis me Italinë. Kështu, emri i numrit një të botës nuk do të mbetet vetëm në historinë e tenisit, por tashmë është shkruar edhe mes yjeve.