Nuk mjaftoi katastrofa 0-4 në stadiumin “Daçia” ndaj Udinezes në Serinë A, por futbolli rezervoi një tjetër të papritur të pakëndshme. Roma e Zhoze Murinjos u rrëzua për herë të dytë radhazi, edhe në këtë rast jashtë fushe, duke u mundur 1-2 në Bullgari nga Ludogoreci në Ligën e Europës. Italianët u ankuan se fusha e stadiumit të Razgradit ishte jashtë çdo standardi, e mund të ishte edhe kështu, ndërsa ndikuan edhe 5 mungesa, por sidoqoftë shpresohej të shmangej humbja. Kauli në 72’ dhe Nonato në 88’ shënuan për bullgarët, ndërsa uzbeku Shomurodov barazoi përkohësisht në 86’. “Këto kohë sikur çdo gjë po na shkon kundër, – tha Murinjo, – një rezultat gënjeshtar. Nëse nuk mund të fitonim, nuk meritonim të humbisnim”. Disfata bëhet edhe më e hidhur nga fitorja 4-2 e Lacios së Sarrit ndaj Fejënordit gjithashtu në Ligën e Europës, të cilën mediat italiane e cilësuan një spektakël.
Sfidanti.al