Saki krahason Milanin me Napolin: Europa është diçka tjetër!

Trajneri i shquar i dikurshëm, flamurmbajtësi i një futbolli sulmues, i pëlqen të dy drejtuesit e ekipeve që janë sot në krye të Serisë A. Luçiano Spaleti dhe Stefano Pioli janë ashtu si Arrigo Saki, njerëz të dhënë pas spektaklit, që kërkojnë të zbatojnë në fushë idetë e tyre, kombinimet, aksionet me dhe pa top. “Spaleti ndjek një futboll modern sulmues, por nga lojtarët duhet të marrë më shumë vazhdimësi”, – thotë Saki. Për Piolin e Milanit, thotë se “vuan ritmin europian, por është në rrugën e duhur”. Pra, duket se Milani ka ende punë për të bërë që të krahasohet me gjigandët e kontinentit, ndonëse historinë e ka me vete. Në fund, Saki kujton duelet e Milanit të tij me Napolin e atëhershëm të Diego Armando Maradonës (në foto), që ishin ndër ndeshjet më të mëdha të Europës.

Sfidanti.al