Roma fiton vetëm sherrin, Milani fiton ndeshjen dhe është 1 pikë larg kreut!

Kush tha se Interi e ka të sigurt se do ta marrë titullin kampion në Itali? Të paktën, “kushërinjtë” e Milanit nuk janë aspak dakord me këtë dhe fitorja 3-1 ndaj Romës në “San Siro” bëri që diferenca me zikaltërit në krye të jetë vetëm 1 pikë. Kuptohet, ekipi i Inzagit ende nuk e ka luajtur ndeshjen e tij, madje e ka të anuluar për shkak të Kovidit. Ndaj Romës, kuqezinjtë e trajnerit Pioli përfituan nga gabimet e miqve duke shënuar me Olivie Zhirunë me penallti në 8’ dhe Zhunior Mesiasin në 17’. Tami Abraham ngushtoi diferencën në 40’, por pas pushimit nervat fluturuan në qiell. Rik Karsdorf mori të kuq në 74’, përpara sesa Rafael Leao të shënonte për 3-1, ndërsa Xhanluka Mançini mori të kuqen e dytë për miqtë në 93’. Në fund, Zllatan Ibrahimoviç humbi penallti. Milani nuk pati ndonjë dominim të madh (12-8 gjuajtjet, 5-6 në kuadrat, 3-9 kornet), por u tregua më i saktë. Interi kryeson me 46 pikë ndaj 45 të Milanit që duket i vendosur të harrojë gabimet e fazës së parë, me shpresë për të luftuar për titull.

Sfidanti.al