Roma, e vërteta e Totit: Jap dorëheqjen, nuk më lanë të bëja asgjë

Pas futbollit të luajtur dhe fanelës verdhekuq, Francesko Toti mbyll edhe aventurën e tij si drejtyes te Roma dhe këtë e bëri nëpërmjet një konference për shtyp ku nuk munguan shprehjet plot helm në drejtim të kolegëve te tij te Roma. Ish kapiteni i Romës në orën 14:00 të së hënës u shfaq në ambientet e Komitetit Olimpik Italian për të dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij duke mos ngurruar t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve që ishin të pranishëm në këtë konferencë të tij për shtyp

‘Dua të falenderoj presidentin Malago’ që më lejoi në këtë vend shumë të bukur-ishin fjalët e para të Totit-është një vend i rëndësishëm për sportistët, por jo për atë që do t’ju them tani. I dërgova një email Shefit Ekzekutiv të Romës ku me pak fjalë i bëj të ditur se jap dorëheqjen nga roli im në klub. Duke parë kushtet, mendoj se ishte detyrim dhe e drejtë që të merrja këtë vendim. Përpara gjithckaje është Roma. është skuadra që duhet dashur. Nuk duhet të ketë ndarje, duhet të ekzistojë një objektiv i përbashkët, dashuria për këto ngjyra. Presidentët, trajnerët dhe lojtarët kalojnë, flamujt mbeten. Nuk ishte faji im që mora këtë vendim’

Por i kujt ishte faji?

‘Nuk ishte faji im-vijoi Toti-nuk më përfshinë kurrë në një projekt teknik. Vitin e parë kjo mund të pranohet, por më pas e kuptova. Nuk u gjetëm kurrë me njëri-tjetrin. E dinin dëshirën time për t’i dhënë sa më shumë këtij klubi, por nuk më deshën kurrë. Më mbajtën jashtë gjithckaje. Nuk ka një fajtor. U bë një rrugëtim e nuk u respektua dhe unë mora vendimin tim’

Por a është kjo një lamtumirë apo një mirupafshim për Totin?

‘Tifozët e Romës duhet vetëm t’i falenderoj për mënyrën sesi më kanë trajtuar gjatë gjithë kohës-tha Toti-ishte një respekt reciprok si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. Atyre mund t’u them që të vazhdojnë të mbështesin këtë skuadër. Roma për mua është skuadra më e rëndësishme në botë. Kur e shoh në këtë moment të vështirë bezdisem dhe trishtohem. Tifozët verdhekuq janë ndryshe, kanë një pasion të ndryshëm. Bëjnë bashkë pasionin dhe dashurinë. është një dashuri kaq e madhe sa nuk mund të mbarojë kurrë. Unë edhe nga jashtë do të vazhdoj të jem një tifoz i Romës. Do të ndërmarr të tjera rrugë, por nëse pronarë të tjerë do të besojë tek unë, do të jem gjithnjë gati’

sfidanti.al