Përfaqësuesja e Brazilit fitoi 3-0 kundër Bolivisë në ndeshjen e hapjes së Kopës Amerika, kështu që “kariokat” e nisën si s’ka më mirë konkurrimin më të rëndësishëm kontinental.
Bolivia, në fakt, e mbrojti portën e vet deri në min. e 50-të, kur Filipe Kutinjo shënoi golin e parë me penallti, ndërkohë që më vonë loja e futbollistëve bolivianë u shpërbë.
Sidoqoftë për penalltinë e dhënë do të flitet gjatë, pasi në min. e 46-të Cusino luajti qartë me dorë, por gjyqtari Pitana nuk dha 11-metërsh. Brazilianët u ankuan me insistim, duke kërkuar përdorimin e VAR-it, gjë që edhe u pranua nga arbitri. Por e pazakontë ishte se verifikimi i penalltisë zgjati pesë minuta, pasi, duke qenë se gjyqtari në fjalë nuk u bind për penalltinë nga bashkëpuntorët e tij në dhomën e VAR-it, ai shkoi vetë atje dhe, më në fund, ra dakord që të jepte 11-metërsh për Brazilin.
Sfidanti.al