Roma blindon Zaniolon, i rrit pagën më shumë se tre fish

 

Zaniolo ka rinovuar kontratën deri më 2024 me Romën, ndërkohë që nga 700 mijë euro në sezon, tani do të fitojë 2.5 milionë. Pas sezonit mbresëlënës debutues, Roma ka konfirmuar se 20-vjeçari, Nicolò Zaniolo, ka zgjatur kontratën me klubin. “Kjo ishte ajo çfarë doja, mund ta quaj Roma ime me plot gojë, pasi tashmë një kontratë do të më lidhë me klubin edhe për shumë vite të tjera dhe për këtë jam shumë i lumtur. Ka qenë e lehtë për mua një vit më parë që ta zgjedh Romën, ishte edhe më e lehtë sot pas sezonit që më lejuan të bie në dashuri me këtë fanellë dhe qytet”, tha Zaniolo për faqen zyrtare të klubit. 20-vjeçari bëri 36 paraqitje në sezonin debutues me Romën dhe shënoi 6 gola, pasi u largua nga Interi në marrëveshje shkëmbimi me Radja Nainggolan.