Rikthimi i Lukakut shpëton Interin ndaj Portos në Champions

Gjigandi nga Belgjika ndoshta e ka gjetur tashmë veten. Trajneri Simone Inzagi i dha besim dhe Romelu Lukaku ia shpërbleu. Nuk ishte titullar, siç u mendua, por hyri në lojë në 58’ në vend të Edin Xhekos, dhe la shenjën e tij. i takoi Lukakut që të shënonte golin e vetëm të ndeshjes së raundit të dytë në Champions ndaj Portos në “San Siro”. U desh të pritej minuta e 86-të, dhe që portugezët të mbeteshin me 10 vetë kur Otavio doli me të kuqe në 78’. Gjithsesi, Interi fitoi dhe ka mundësi të pretendojë për më tej.

Një përballje tepër e fortë në “San Siro”, me Porton që nuk u dorëzua aspak dhe që pothuaj mori barazimin. Edhe pse italianët mbajtën shumë më tepër topin (57-43) dhe tentuan shumë më tepër gjuajtje (17-10), goditjet në portë ishin të barabarta 4-4. Zikaltërit këmbëngulën më shumë dhe patën 6 goditje nga këndi ndaj 0 të miqve. Një fitore e vogël, por tepër e rëndësishme për një ekip që ka potencial, por që gjithë këta vite nuk ka mundur të tregojë veten. Shpresa është për t’ia dalë edhe në Portugali dhe për t’u kualifikuar në çerekfinale.

Sfidanti.al