“Revolucion” i pritshëm tek PSG, Al Helaifi nuk duron dot më!

I pari që do të lëvizet do të jetë trajneri, pavarësisht se kush do ta zëvendësojë. Paris SG ka ndërmend të bëjë një “revolucion” të vërtetë në verë, me Unai Emerin që duhet të mendojë që tani për një punë tjetër, pas eleminimit edhe nga Championsi. Disfata me Realin, pas humbjes së titullit vjet në garë me Monakon, cilësohen “mëkate” që nuk mund të “lahen” në asnjë mënyrë, dhe presidenti e pronari Al Helaifi, do të veprojë.

Bashkë me Emerin do të largohen edhe lojtarë, i pari rekordmeni i golave në klub Edinson Kavani. Në shënjestër janë Dani Alvesh, Kurzaua apo Munier. Po ashtu, Di Maria apo Rabio mund të largohen, ose të rinovojnë kontratat, pasi akordi i tanishëm i tyre përfundon në 2019, ndërsa kërkohet përforcim në portë, ku i preferuari është Oblak i Atletikos.

Në mbrojtje pëlqehen Aleks Sandro i Juventusit dhe Sesenjon i Fulhamit, ndërsa i vetmi në këtë repart që nuk ka asnjë dyshim është Markinjos. Në mesfushë, pritet të largohet Tiago Mota dhe të vijë Fabinjo nga Monako (nëse e marrin dot). Në sulm, kërkohet një “numër 9” në vend të Kavanit, ndërsa për t’u larguar janë Draksler e Pastore.

Sidoqoftë, çështja më e rëndësishme është ajo e trajnerit. Besohet se Antonio Konte e Maurisio Poçetino janë më të “lakuarit”, ndërsa Zidan, Murinjo apo Simeone duken të pamundur.

Sfidanti.al