Rekordet e Levandovskit? Mos harroni se është vetëm 31 vjeç!

Me nivelin që po tregon mund të tejkalojë shumë barriera, ndonëse një legjendë si Gerd Myleri mund të mos mbërrihet. Robert Levandovski është krenaria e Bajernit, por edhe e futbollit polak, ndërsa po përvijohet si golshënuesi i dytë më i mirë në çdo aspekt, në historinë e Bundesligës gjermane. Me dy rrjetat e shënuara në portën e Frajburgut, polaku ka kuotën 33 të sezonit në kampionat, si dhe të 48 rrjetave në sezon. Është hera e parë që ai ka më shumë gola sesa ndeshje në një edicion, 48 në 41.

Nuk besohet se Leva do ta arrijë rekordin sezonal të Mylerit me 40 goditje të sakta, pasi i duhet të shënojë 7 në sfidën e fundit, por gjithsesi, ai do të mbetet i madh. Me 235 gola në karrierë në Bundesligë, sulmuesi i Bajernit po ndjek vendin e dytë për të gjitha kohët, Klaus Fisherin që ka 268, dhe që mund ta kapë në fundin e sezonit të ardhshëm, apo pas dy vjetësh. Gjithsesi, edhe në këtë rast, Gerd Myleri mbetet i paprekshëm me 365, dhe me mesataren 0.85 gola për ndeshje, ndaj 0.73 të polakut. Në pesë sezonet e fundit ka pasur ritme të larta me mbi 40 rrjeta çdo vit, dhe me totalin 214 gola.

Sfidanti.al