Gjyshja e Tonalit dhe shqetësimi i Kontes për dyshen “Lu-La”!

Nuk është se i mungojnë problemet, ndonëse ndaj Sampdorias janë fituar 5 ndeshjet e fundit, dhe është humbur vetëm një herë në kaq shumë kohë në “San Siro”. Antonio Konte është një trajner i shqetësuar pasi Interi i tij është në një moment-kyç të sezonit, pas eleminimit nga Kupa e Italisë, dhe dëmtimit të Marcel Brozoviçit, që mungon dy  ndeshje. Po ashtu mbetet “enigma” Eriksen, ndonëse danezi po përmirësohet, dhe kryesor është dyshimi për rendimentin e sulmit. Si do të jetë dyshja “Lu-La”, pra Lukaku-Lautaro Martinez, që deri dje ishte pika më e fortë e zikaltërve? Mjaftoi të fillonte telenovela e transferimit të Lautaros tek Barcelona, që sulmuesi argjentinas ta ndjente dhe të binte nga forma, siç u tregua ndaj Napolit.

Gjithsesi, në të këtë “labirinth” të errët, Konte e sheh një dritë. Sipas mediave, Sandro Tonali mund të bashkohet me Interin dhe kjo për shkak të …gjyshes së tij. Të kuptohemi, gjyshja është italiane dhe lombarde, pra nuk presim që të thotë “të keqen nëna, shko tek Interi, se atje do të gjesh shokë të mirë”. Kjo gjyshe është thuajse një ultrase interiste, siç ia bënte të qartë në Fejsbuk një tifozi të Milanit, që i lutej të bindte nipin të shkonte pikërisht tek Milani. “Më vjen keq për ty, – shkruante zonja me emrin Xhina Damiani, – por, unë jam interiste që nga lindja. Forca Sandro! Forca Inter”!

Sfidanti.al