Reja do kualifikimin në Poloni, por eksperimenti “Çeki” nuk na ngroh shumë!

Disa kohë më parë, ndërsa kombëtarja ende nuk kishte nisur ndeshjet eleminatore të Kupës së Botës, drejtuesi i shquar i dikurshëm i sportit, Sokol Morina, shprehej se “problemi kryesor i Shqipërisë është se lojtarët janë marrë “kokrra-kokrra” dhe se nuk bëhet dot një ekip”. Ndryshe nga vitet 60-të apo 80-të, lojtarët mund të luajnë në liga të forta, të kenë përvojë ndërkombëtare, por shihen me njëri-tjetrin kur kanë kaluar 20-25 vjeç dhe qendrojnë bashkë 3-4 ditë, herë pas here.

Edhe sot, ndonëse Shqipëria ka një grup të mirë, me shumë lojtarë që janë në Serinë A, me të tjerë në La Liga, Bundesligë, Ligën e Parë të Francës, Premier Ligë, Superligën e Turqisë apo të Hungarisë, sërish thënia e Morinës mbetet aq e vërtetë sa nuk i hiqet një presje. Duke e ditur këtë, mund të vendosim një pikëpyetje dashamirëse pas deklararës së trajnerit kuqezi, Edi Reja, se kombëtarja luan gjithnjë për të fituar, dhe se synimi ynë në grup është kualifikimi. Nëse dikur, “ngjizja” ekzistonte e mungonte përvoja, sot është anasjelltas. Edhe atëherë e kemi pasur vështirë ta kalojmë “pengesën”, edhe sot mbetet po njësoj.

Sfidanti.al