Nuk ishte problemi thjesht që humbi një set, pasi kjo është gjë që ndodh. Shqetësimi më i madh për Novak Gjokoviçin në fushën qendrore në Flashing Midous (Flushing Meadows) ishte se nuk luajti aspak mirë dhe se pati fat në fitoren 3-1 ndaj tenistit danez, Hoger Rune. Djaloshi 18-vjeçar, që u desh të kualifikohej për në US Open, i bëri rezistencë të fortë numrit 1 të botës dhe e rrezikoi. Gjithsesi, kjo ndodhi në setin e dytë, që danezi e fitoi 7-6, sepse tre setet e tjerë Nole i fitoi 6-1, 6-2 e 6-1. “Holgeri ishte pa fat, – pranoi tenisti i famshëm serb, – nuk ishte aspak gjë e bukur të përfundoja një ndeshje të tillë, rivali im meriton një duartrokitje të madhe. Nuk ishte ndeshja ime më e mirë, por ai luajti mirë. Gjëra të tilla më kanë ndodhur edhe mua kur isha më i ri, dhe besoj se ai do të ketë një të ardhme të madhe”. Gjokoviç synon të fitojë US Openin në Nju Jork, ndërsa mungojnë rivalët e mëdhenj Rozher Federer dhe Rafael Nadal. Nëse ia del, Nole do të bëhet i pari tenist mashkull në 53 vjet që fiton Slem të vitit, pasi deri tani ka fituar Grand Slemet në Australian Open, Rolan Garos dhe Uimbëlldon.
Sfidanti.al