Jehona për Mbapenë: Programoji ëndrrat për të ardhmen!

Ky stadium dhe ky qytet mbeten shtëpia e tij. Kilian Mbape duket si ndonjë fëmijë i birësuar, që njerku nuk e lejon të bëjë jetën e tij, pikërisht tani që dështoi transferimi tek Reali. Presidenti i Paris SG, Naser Al Helaifi, pas të cilit qendron fuqia financiare e një shteti, Katarit, pati më të shtrenjtë sedrën se paratë. Ai deshi me çdo kusht të kishte në fushë treshen e artë të përbërë nga Mesi, Nejmar e Mbape, dhe refuzoi 200 milionë eurot e Realit.

“Gjithmonë do ta kesh një vend në Madrid”, është titulli i gazetës “Marka”, që komenton se PSG fitoi betejën e verës, duke injoruar 200 milionë eurot e Realit. Ka tallje nga Katalonja, ku e përditshmja “Sport” e përshkruan operacionin “Mbape” si “fiasko”: “Madridi prezanton Kamavignën në pamundësi për të marrë yllin e PSG-së!”

Vetë 22-vjeçari i priti lajmet që nga grumbullimi me kombëtaren e Francës ku do të luajë në ndeshjet eleminatore të Botërorit. Interesimi ishte i madh edhe në Klerfonten, ndërsa Mbapeja nuk bëri komente, por thuhet se është i zemëruar që e penguan. Kampioni i botës hodhi në Instagram një mesazh që ia kishte shkruajtur një mik: “Respekt për profesionalizmin tënd! Programoji ëndrrat e tua për më vonë! Jeta është e bukur dhe ti je më i miri”.

Me të vërtetë, Mbape ka qenë një profesionist i vërtetë pasi ka dhënë maksimumin për PSG-në këtë fillim sezoni, pavarësisht kaosit për të nesërmen. Për 9 muaj do të shkëlqejë në fushë me Mesin e Nejmarin, në janar mund të firmosë një parakontratë me Realin dhe korrikun e ardhshëm të shkojë në Madrid, nëse nuk ndryshon mendje deri atëherë.

Sfidanti.al