Regensburgu është “hirushja” tjetër e Kupës gjermane, eleminon Këlnin!

Është një qytet i bukur që i ngjan pak Shkodrës sepse rrethohet nga ujërat. Tre lumenj bashkohen në Regensburg, ku “nëna” e tyre është Danubi, ndërsa fama e tij nuk është aspak e vogël. Fitorja e skuadrës së tij të futbollit që luan në kategorinë e dytë, dhe që e ka emrin Jahn Regensburg, mund të krahasohet ndoshta me përballimin e kalorësve spahi otomanë që mbërritën deri aty kur Sulltan Sulejmani i rrethoi Vjenën në 1529. Otomanët u tërhoqën atëherë, ashtu si edhe skuadra e Bundesligës, Këlni, nuk e mori dot “fortesën”.

Në vend të 11-të të Bundesligës së dytë, Regensburgu eleminoi ekipin e vendit të 14-të të Bundesligës së parë, që fitoi 3-1 të dielën ndaj Bilefeldit. Regensburgu arriti të reagonte pasi u godit shumë shpejt. Këlni shënoi me anë të Jakobsit në 4’ dhe Denisit në 22’, por nuk e mbylli dot ndeshjen. Kenedi dhe Xhorxh barazuan që në pjesën e parë dhe më pas nuk pati gola, derisa u mbyllën 120 minuta. Madje në 78’, Këlni humbi mundësinë më të mirë për të fituar, penalltinë e gjuajtur nga Denis. Tek penalltitë, forca e karakterit dhe fati ishin për vendasit që ia dolën 4-3 dhe kaluan në çerekfinale.

Sfidanti.al