E ka fituar trofeun e madh 13 herë, ndërsa është një nga skuadrat më të veçanta të Europës për përmbysjet që arrin. Barazimi 2-2 i Realit në stadiumin e Gladbahut tregoi thjesht se çdo të thotë Madrid në Champions, një ekip që nuk dorëzohet kurrë, por që pritet që këtë sezon ta ketë shumë të vështirë. Nëse në dy ndeshjet ndaj Shahtarit dhe Gladbahut merr 1 pikë, çfarë mund të bësh në dy duelet ndaj Interit, atij që në letër është rivali kryesor i grupit? Së pari do të luhet në “Alfredo Di Stefano” (pasi “Bernabeu” është me punime), dhe pastaj në “San Siro”. Reali vërtet ka ekspertë si Kurtua, Ramos, Varan, Kasemiro, Modriç, Kros, Benzema, Asensio, Vaskez, Karvahal apo të tjerë, por italianët janë gjithashtu shumë të fortë, plus edhe më të uritur. Skuadrës së Zidanit i duhen 9 pikë nga 12 të mbetura që të mos bjerë në Ligën e Europës. Nëse ndaj Interit do të gabojë, gjithçka do të bëhet shumë e vështirë dhe “merengesit” mund të rrezikojnë të vendosin një rekord negativ, të eleminohen për herë të parë në fazën e grupeve në Champions.
Sfidanti.al