Kristiano Ronaldo po shfryn e po mallkon ndaj sistemit të testeve për Kovid 19, ndërsa në Torino po përgatitet pa të për ndeshjen e Ligës së Kampionëve. Flitet për Juventus-Barcelona, dikur një klasike e madhe, ndërsa sot shumë më e vogël më shumë për faj të katalanasve. Të dyja skuadrat sezonin e kaluar u eleminuan herët, Barça në çerekfinale, ndërsa Juvja edhe më shpejt (në të tetat e finaleve), ndërsa sot kanë probleme. Kritika për lojën e Andrea Pirlos, por këto janë “lule” në krahasim me gjendjen në të cilën ndodhet Ronald Kuman, me Mesin që duket larg formës së dikurshme.
Përsa i përket lojtarëve që do të zbresin në fushë, Pirlo kërkon me patjetër Bonuçin edhe pse ky ka probleme fizike. Kjo, për shkak të mungesave të Kielinit e De Ligtit. Ronaldo mungon për shkak të koronavirusit, dhe loja ofensive pritet të ketë Kuadradon, Ramsejn, Kulushevskin, Dibalën e Moratën në skemën 3-2-3-1. Tek Barcelona mungojnë Gerard Pike i pezulluar, dhe Kutinjo i dëmtuar. Arauho zëvendëson qendërmbrojtësin, dhe Grizman luan në rolin e brazilianit. Ndryshim tjetër mund të jetë që Pjaniç të luajë në mesfushë në vend të Busketsit apo De Jongut. “Jetim” mbetet Lionel Mesi, pasi nuk do ta ketë rivalitetin me CR7-ën.
Sfidanti.al