Reali përkulet para Sitit, Kristiano nuk mjafton për Juventusin!

Lioni është çerekfinalisti i Championsit, që edhe pritej, por edhe që quhet e papritur e madhe. Francezët, dikur tepër të fortë, por sot shumë më të rëndomtë për shkak të një Paris SG qiellor, ia dolën të eleminonin një nga pretendentët kryesorë të kësaj gare, Juventusin e Kristiano Ronaldos. Nuk mjaftoi pikërisht Ronaldo, autor i dy golave, pasi Memfis Depai shënoi me penallti dhe humbja 1-2 nuk i prishi punë francezëve. Ata kishin fituar 1-0 ndeshjen e parë. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me trajnerin Mauricio Sarri pas kësaj disfate, ndërsa Juvja u duk më poshtë fizikisht sesa kundërshtari, e shtyrë përpara vetëm nga ambicia dhe forca e madhe fizike e Ronaldos.

Në Angli, Reali mori eleminimin që edhe pritej, ndonëse spanjollët qahen se ndaj Sitit u dënuan nga dy gabime të mbrojtësit Varan. Këta gabime sollën golat e Rahim Stërlingut e Gabriel Zhezusit, ndërsa Benzema barazoi përkohësisht për Realin. Edhe madrilenët u dënuan nga ndeshja e parë, e humbur 1-2 në “Bernabeu”, ndërsa Mançester Siti i Guardiolës është një hap më pranë realizimit të ëndrrës, fitores së Championsit.

Sfidanti.al