Reali nuk gjen qetësi dhe Superkupa nuk gjen “El Klasiko”!

Do të jetë Atletik Bilbao përballë Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës. Skuadra baske mposhti rivalin e madh, Realin e Madridit me shifrat 2-1, dhe do të përpiqet t’i marrë hakun baskëve të tjerë, atyre të Sociedadit që u eleminuan në gjysmëfinale nga katalanasit. Një ish-lojtar i Atletikos, Raul Garsia, ndëshkoi madrilenët e Zinedin Zidanit, ndërsa yjet “merenges” nuk u dukën gjëkundi. Vetëm Marko Asensio e tregoi veten, ndërsa Hazar ishte përsëri jashtë loje, Ramos me probleme fizike, Benzema me gabime para portës (dhe gol të anuluar), madje as Modriç e Kros nuk arritën të ishin ata të javëve të kaluara.

Kanë qenë ditë tepër të vështira për Realin dhe për Zidanin, që humbi terren në La Liga dhe tani humbi shansin për të synuar trofeun e parë të vitit. Mediat spanjolle bënin ironi me shefin e Federatës, Rubialesin që e ndrysho formatin e Superkupës për të siguruar një El Klasiko, por për të dytin vit radhazi nuk e arriti. Vjet u eleminua Barcelona, këtë herë Reali. Zidan u pyet nëse kjo mund të quhet një katastrofë, dhe nëse i ka humbur shpresat tek ekipi. “Mos mendoni se ne duhet të braktisim sezonin, – ishte përgjigja e francezit në formë pyetjeje, – katastrofë është kur nuk përpiqesh, ndërsa ne dhamë gjithçka, por kështu është jeta, kështu edhe futbolli. Nuk mund të fitosh gjithnjë, fitojnë edhe të tjerët”.

Sfidanti.al