Reali, me 400 milionë euro në xhep, hidhet në sulm për Belinghamin!

Do të varet shumë nga dëshira e futbollistit, siç ndodhi me të tillë si Kilian Mbape apo Orelien Çuameni. Çfarëdo që të duan klubet, në fund është lojtari që vendos, dhe kështu do të bëhet edhe në rastin e Xhud Belinghamit. Ylli 19-vjeçar i Anglisë është në “radarët” e Realit të Madridit, ndërsa mediat spanjolle shkruajnë se ai do të jetë “objektivi kryesor” i presidentit Florentino Perez dhe trajnerit Karlos Ançeloti verën që vjen. Në Premier Ligë, Belinghamin e duan Liverpuli dhe Mançester Siti, kandidatë shumë të fortë të Realit, sidomos klubi i Guardiolës që e tregoi veten duke marrë Erling Halandin. Të shohim se cila do të jetë zgjedhja e anglezit ofensiv, kartoni i të cilit shkon të paktën 100 milionë euro, por padyshim edhe më shumë (120-130), ndërsa Reali dihet se ka 3-400 milionë euro gjendje për të vepruar verën që vjen.

Sfidanti.al