Reali ka më shumë besim ndaj PSG-së, pas fitores me Sociedadin

Trajneri Karlo Ançeloti e bëri të qartë, dhe mediat spanjolle nuk harruan ta theksonin. Ky Real që triumfoi 4-1 me përmbysje ndaj Sociedadit, nuk është ai që u mund 0-1 në Francë nga Paris SG, madje duke luajtur shumë më keq sesa thotë rezultati. “Ne bëmë një sakrificë të madhe fizike, sidomos në pjesën e parë, – tha tekniku italian, – dhe me këtë lojë unë mendoj se kemi shumë më tepër shanse për t’ia dalë ndaj PSG-së në mesjavë”. Vëmendja mediatike dhe e publikut është zhvendosur pikërisht në Champions, aty ku pas disfatës në Paris u duk se shanset ishin pranë zeros. “Ky Real të bën të shpresosh, – shkruan “Marka”, – kjo është loja”. Gazetat thanë se madrilenët i dhanë një shkelm kampionatit duke u shkëputur 8 pikë nga Sevilja. Kamavigna, Modriç, Benzema (penallti) dhe Marko Asensio shënuan golat.

Sfidanti.al