Kishte disa kohë që po e quanin “magjistari”, dhe skuadrën e tij po e paraqisnin si favorite për të fituar çdo trofe këtë sezon. Gjithsesi, Reali i Zinedin Zidanit doli një “vepër e papërfunduar” në çerekfinalen e Kupës së Mbretit, kur u vu përballë Sociedadit. Skuadra mike, me gjakun bask, u tregua Reali i vërtetë (edhe ajo e ka këtë emër) duke fituar 4-3 në stadiumin mitik, e duke turpëruar vendasit. Njëkohësisht duke u treguar se krizë mund të mos ketë vetëm Barcelona.
Lojtari i larguar nga Reali, Odegard, kaloi miqtë në epërsi në 22’, pastaj Aleksandër Isak shënoi golin e dytë dhe të tretë për Sociedadin që kryesoi 3-0 në minutën e 56-të. Një Madrid i tronditur arriti më në fund të reagonte me anë të Marselos në 59’, por Mikel Merino rivendosi epërsinë tregolëshe të baskëve, 4-1. Në 81’, Rodrigo dha shpresë, dhe Naço shënoi golin e tretë në minutën e tretë shtesë, por formacioni i Zidanit nuk qe në gjendje të barazonte. Kjo, edhe pse në 95’, miqtë mbetën me 10 vetë sepse u përjashtua Gorosabel.
Sociedadi u kualifikua për në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, duke kujtuar me krenari se jo më kot ka dalë dy herë kampion i Spanjës, dhe ka fituar 2 herë Kupën e Mbretit, edhe pse lavdia ka mbetur pas që në vitet 80-të.
Sfidanti.al