Reali “i plagosur” s’pati fuqi në Vijarreal, barazim me shtatë mungesa!

Zinedin Zidan ishte tepër i mërzitur pas ndeshjes së La Ligës në stadiumin “Seramika” (Ceramica) të Vijarrealit. Legjenda franceze u pikëllua që Realit të tij i iku nga duart një fitore, që do të kishte qenë e madhe në kushtet në të cilat ndodhej kampionia e Spanjës. Me shtatë mungesa të rëndësishme, madrilenët kryesonin 1-0 deri në minutën e 76-të, pas golit të shënuar nga Mariano që në minutën e 2-të. Gjithsesi, Zizuja e kishte të qartë se Reali nuk ishte aq i fortë fizikisht sa përtë luajtur 90 minuta. Pikërisht pesëmbëdhjetë minuta para fundit, vendasit fituan penallti dhe Gerard Moreno barazoi.

Miqtë kishin mangut Sergio Ramosin, Benzemanë e Valverden e dëmtuar, si dhe Kasemiron, Militaon e Joviçin që ishin pozitivë për koronavirus. Siç thekson e përditshmja “AS”, Reali pagoi mungesën e titullarëve, por edhe faktin se lojtarët rezervë që u aktivizuan nuk kishin ritmin e duhur për shkak të minutazhit të munguar. Më i miri në fushë ishte Modriç, ndërsa Kros apo Hazar u lodhën pas pushimit, dhe Madridi e mbylli ndeshjen duke mbrojtur pikën. Kubo, i huazuar tek Vijarreali pikërisht nga Reali, pati rastin e fitores në minutën e 92-të, por e humbi.

“Ju duhet të shihnin punën tuaj dhe unë time, – u shpreh i zemëruar Zidan ndaj gazetarëve në konferencë më pas, – nuk jam aspak i zhgënjyer, dhe mbetem me shpresë të plotë si përherë. Mos u shqetësoni. Meritonim shumë më tepër, meritonim tri pikët për atë që bëmë. Më vjen shumë keq që sakrificat e lojtarëve nuk u shpërblyen”. Reali ka 17 pikë në 9 ndeshjes, ndërsa Vijarreal ka 19 në 10 ndeshje.

Sfidanti.al