Hulen Lopetegi nuk është kastilian, pra nuk është nga ata që duhet ta ketë patjetër Spanjën 100 për qind në zemër. Gjithsesi, ai është një profesionist në çdo qelizë dhe kjo e bindi presidenti i Realit, Florentino Perez, që të arrinte akordin për ta pasur trajner të Realit pas 15 korrikut. Ai është vërtet bask, parimisht mund të ishte një njeri i pavarësisë baske, veçse në botën e sotme (dhe të djeshme) ku përzihen ëndrrat e dëshirat me realitetin, Lopetegi është ekuilibristi më i mirë i mundshëm.
Ai është fiks për rolin tek Reali, sepse ka qenë edhe lojtar (portier) i “mbretërorëve” (ka qenë edhe tek Barça), ka qenë edhe trajner i Realit të Madridit B, si dhe ka qenë trajner i Spanjës U19, Spanjës U20 e Spanjës U21 përpara sesa të shkonte tek Porto e pastaj te kombëtarja e të rriturve të Spanjës. Ai ka moshën e duhur, 51 vjeç, por sidomos karakterin dhe përgatitjen që kërkohet.
Ish-trajner i madh madrilen, Visente Del Boske, nuk ngurroi të theksonte se “Lopetegi është gati për Realin”. Basku sapo kishte rinovuar me Federatën Spanjolle, veçse edhe vetë federata besohet se është e kënaqur që të kontribuojë në suksesin e Realit, me selinë e të dyjave në Madrid.
Mediat njoftojnë se Lopetegi i ka përpiluar menjëherë planet dhe ka bërë kërkesat e tij tek Perezi. Trajneri pëlqen portierin e Junajtidit dhe të Spanjës, David De Gea, yllin e ri spanjoll, Odriozola të Sociedadit, po ashtu Gimenezin e Atletikosë së Madridit apo Tiago Alkantarën e Bajernit. Sipas mediave, në listë janë edhe Nejmar e Levandovski, por kuptohet Lopetegi e di që nuk mund të vijnë të gjithë në Madrid. Në futboll, suksesi nuk është kurrë i garantuar, as basku nuk e ka të sigurt, por gjithsesi Reali ka bërë goditjen e duhur pas largimit të Zidanit.
Sfidanti.al