Mohamed Salah nuk do të kishte dashur të kishte ndodhur kurrë ajo fatkeqësi e finales së Championsit, por tashmë duhet të jetojë me dëmtimin e shkaktuar nga Ramos, ndërsa ende nuk është i sigurt për Botërorin. Futbollisti më i mirë i Egjiptit dhe i Afrikës, po ashtu i Liverpulit dhe Premier Ligës angleze, po lufton me kohën që nga çasti kur u largua nga “Stadiumi Republikan” i Kievit.
Salah mbërriti në Rusi, në përbërje të kombëtares, me shpresën për ta luajtur Kupën e Botës, dhe stafi mjekësor egjiptian ishte me besim. Rikuperimi i nisur që nga 27 qershori duket se po shkon mbarë, por përfundimi ende nuk dihet.
Salah u duk në formë shumë të mirë gjatë seancës së fotografive zyrtare të ekipit përfaqësues që ndodhet në kryeqytetin e Çeçenisë, Grozni. Duket se shpatulla po shërohet dhe lojtari me numrin 10 shihet në version shumë pozitiv nga ana psikologjike.
Gjithsesi, ndërsa shkoi për stërvitje, dhe u pyet nga gazetarët, Salah nuk zbuloi asgjë. “Ne u kthyem në Botëror pas 28 vitesh, – tha ai për gazetarët në stadiumin e Groznit, – Jemi të lumtur që ia dolëm dhe duhet të shijojmë këtë mundësi unike. Shpresoj të arrijmë rezultate të mira”. i pyetur për gjendjen e shpatullës, Salah u shpreh shkurt se “jam duke u shëruar dhe gjithçka është mirë”.
Salah e vuri veten në qendër të vëmendjes, ndërsa pranoi vizitën dhe shoqërinë e kreut të Republikës Autonome Çeçene, Ramazan Kadirov, i njohur si mik i presidentit rus, Vladimir Putin.
Mediat britanike e kritikuan që pranoi të shërbente politikisht për Kadirovin, ndonëse egjiptiani nuk është i pari yll i sportit që takohet me shtetarë e politikanë.
Sfidanti.al