Nuk është më vetëm një sport. Dikur e luanin të varfrit, e shikonin kush mundte, sot e luajnë të pasurit dhe e sheh e gjithë rruzulli, siç do të ndodhë edhe në Rusi. Kupa e Botës është jo vetëm spektakli më i madh i futbollit në planet, me intensitet maksimal 1-mujor, por edhe panairi gjigand ku shpenzohen dhe krijohen para.
Flitet për qindra milionë dollarë, që u jepen kombëtareve të ndryshme, e ku peshën kryesore e kanë skuadrat e mëdha. Një burim i jashtëzakonshëm fitimi është ai nga kompanitë që furnizojnë uniformat.
Edhe në këtë Botëror vazhdoi dueli mes Adidasit dhe Najkut, me kompaninë gjermane që doli fituese. Plot 12 kombëtare në Rusi kanë kontratë me Adidasin, 10 kanë akord me Najkun, pastaj 4 furnizohen nga kompania tjetër gjermane, Puma, dy nga amerikanët e Nju Balansit, dhe nga një nga italiania Errea, danezja Humel, gjermania Ulsport, dhe britanikja Umbro.
Adidasin e kanë preferuar Gjermania, Argjentina, Spanja, Rusia, Japonia, Meksika apo Suedia. Me Najkun janë Brazili, Anglia, Franca, Portugalia apo Kroacia, ndërsa Pumës i mbeten Zvicra, Uruguaj, Serbia e Senegali.
Shifrat janë vërtet të larta. Gjermania është në vend të parë me 50 milionë euro në vit, Franca e ndjek me 45 milionë, Anglia merr 39, Brazili më shumë se 30, ndërsa Spanja 24 milionë euro.
Të rëndësishme edhe sponsorizimet zyrtare dhe partnere nga kompani të njohura në gjithë botën. Gjermania ka 45 vjet bashkëpunim me Mercedes Bencin, por vitin e ardhshëm sponsori do të jetë Folksvageni që raportohet se do të paguajë nga 25 deri në 30 milionë euro në vit.
Çdo federatë është vënë në ndjekje të sponsorëve, dhe po ashtu këta i janë vënë pas futbollit. Argjentina ka Koka Kolën, kompaninë telefonike Klaro apo atë të fastfudeve Mostaza. Brazili përgjigjet me Masterkardin, Franca me Folksvagenin dhe Anglia me Voksalin, Karlsbergun apo LG-në.
Gjithsesi, ka një fenomen që bie në sy, fuqizimi i sponsorizimeve kineze. Franca, Belgjika apo Portugalia janë vetëm disa shembuj. Kina ka hyrë fort edhe në Kupën e Botës, duke qenë shpëtimtare për financat e FIFA-s.
Llogaria është që fitimet e FIFA-s në këtë Botëror janë gati 200 milionë dollarë më të pakta sesa në Brazil 2014, dhe kjo për shkak të skandalit të korrupsionit që solli largimin e ish-presidentit Blater. Do të ishte më keq pa kinezët, pasi 3 nga 5 sponsorët kryesorë në Rusi janë nga Kina.
Pavarësisht krizave dhe skandaleve, futbolli mbetet biznes i madh dhe Botërori rus do të gjenerojë gati 1.5 miliardë dollarë të ardhura.
Sfidanti.al