Këtë të enjte mësuam emrin e kundërshtarit për ndeshjen play off të Kupës së Botës. Do të luajmë me shumë mundësi në Varshavë dhe nëse dielli ndriçon për Kombëtaren Kuqezi, do të zhvendosemi në një transfertë tjetër, në Stokholm, Goteborg apo në një fushë asnjëanëse për shkak të luftës në Ukrainë. Në të gjitha rastet, maksimalisht dy ndeshje jashtë shtëpisë, një lajm që sportivisht na shqetëson por që do të na largojë angarinë e biletave për tifozët VIP tashmë të abonuar në ndeshje të rëndësishme në “Arenën Kombëtare”. Humbja e FSHF-së nga ky short është jo vetëm financiare sepse të të paktën në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë, biletat nuk do të ndahen në kangjellat e Federatës. FIFA në këtë rast do të shpërndajë numrin e caktuar të biletave për shqiptarët që në Poloni do të jenë diçka më shumë se 1 mijë zemra të bashkuara. Pa telefonata miqsh, short të dyshimtë dhe bileta për njerëzit e rëndësishëm të politikës apo rrjeteve sociale. Në mesin e marsit, ata pak zëra kuqezi do të jenë të vërtetë prandaj jo çdo lajm i keq mund të bëjë vetëm dëme.
sfidanti.al

