Për La Ligën nuk është se nuk mendoheshin, ndonëse Atletiko e Madridit ishte kampionia në fuqi. Gjithsesi, në mungesë të një Barcelone të fortë, që ishte e mbytur në borxhe me e tronditur nga largimi i Mesit, edhe të shkonte mendja se Reali do të arrinte të dilte kampion i Spanjës. Pra, nuk është ndonjë çudit e madhe që madrilenët ia dolën, por gjithsesi askush nuk e mendonte se diferenca e tyre me vendin e dytë do të ishte 17 pikë. E papritura e vërtetë e sezonit për ekipin e Karlo Ançelotit mbetet mbërritja në gjysmëfinalet e Championsit duke pasur një mundësi të vërtetë për të shkuar në finale. Reali eliminoi Interin në grup, pastaj Paris SG dhe Çelsin, ndërsa humbi 3-4 gjysmëfinalen e parë në fushën e Mançester Sitit. Gjithçka duket në rregull për një “remontada”. Ançeloti nuk e kishte aspak me qejf që ta fitonte titullin këtë të shtunë, pasi mendonte se festimet do ta lodhnin ekipin e tij. Nga ana tjetër, ngritja e trofeut mund të shtojë krenarinë dhe respektin për veten të “los blankosve”, pra mund të jetë një plus për sfidën e së mërkurës ndaj Sitit në “Bernabeu”. “Vula” për titullin u vendos me fitoren 4-0 në Madrid ndaj Espanjolit, me gola të shënuar nga Rodrigo (2), Marko Asensio dhe Benzema. Reali ka 81 pikë ndaj 64 të Seviljes dhe 63 të Barcelonës, që ka një ndeshje më pak.
Sfidanti.al