Fituesi nuk gjykohet, sidomos kur fiton 3-1 dhe tri herë radhazi. Nuk mund t’ia bësh gjyqin kampiones së vjetër dhe të re të Europës, skuadrës së Realit të Madridit që bëri shumë më tepër se Liverpuli në 90 e ca minutat e finales së Championsit në Kiev. Futbollistët e klubit padyshim më të madh të historisë thjesht duhen lavdëruar për nivelin e tyre, me një paraqitje që për gati 70 minuta bëri që Liverpuli të dukej një ekip fare i rëndomtë.
Sidoqoftë, historia e finales në kryeqytetin e Ukrainës nuk ishte vetëm kjo. Liverpuli u dëmtua në mënyrë të pariparueshme nga dëmtimi dhe nga dalja prej loje e yllit kryesor të tij, Mohamed Salahut. Egjiptiani pësoi një lëndim të rëndë në shpatull pas një ndërhyrjeje që u duk si e qëllimshme nga ana e kapitenit madrilen, Sergio Ramos. Ishte momenti vendimtar, sidomos kur në fushë është një ekip me klas dhe përvojë maksimale, dhe një tjetër që nuk ka as talentin dhe as eksperiencën e kundërshtarit.
Deri sa Salah ishte në fushë, Liverpuli ishte me diferencë më lart se Madridi. Krijoi të paktën katër raste, gjuajti 9 herë drejt portës, në krahasim me 3 të Realit, dhe i futi frikën formacionit të trajnerit Zinedin Zidan. Kur mbeti pa frymëzuesin e vet, ekipi anglez mori goditje të pariparueshme psikologjike dhe ishte hija e vetvetes.
Gjithsesi, fatkeqësia e të besuarve të trajnerit Jurgen Klop nuk ishte vetëm kjo. Edhe më shumë fatalë dolën gabimet e rënda të portierit Karius, njeriut që me meritë fitoi besimin e trajnerit në një sezon shumë të mirë. Në mënyrë qesharake dhe naive ndihmoi kundërshtarin të kalonte në avantazh 1-0, kur ia fali topin Karim Benzemasë. Nuk mjaftoi kjo, pasi kur shifrat ishin 2-1 dhe ende mund të luhej, i lejoi vetes gafën e dytë që solli rrjetën që mbylli takimin, realizuar nga Garet Bejl.
Finalja në “Stadiumin Republikan” të Kievit pati edhe dy gola të tjerë, së pari barazimin e Liverpulit me anë të sulmuesit Sadio Mane. Gjithsesi, çasti më sublim ishte rrjeta e parë e Garet Bejlit, një ekzekutim roveshate më i bukur sesa ai i Kristiano Ronaldos në Torino ndaj Juventusit, ndoshta edhe më i bukur sesa ai i Zidanit kur ishte lojtar në finalen e vitit 2002. Me Ronaldon në hije, Championsi i tretë radhazi, dhe i 13-ti në histori pati protagonist kryesor pikërisht uellsianin.
Sfidanti.al
Sfidanti.al