Reali dhe Barça shënojnë nga 4, por Madridi është më pranë titullit!

Reali dhe Barcelona arritën fitore identike, i pari në shtëpi dhe e dyta jashtë, veçse java e parafundit e kampionatit spanjoll foli në favor të Madridit. Suksesi 4-1 ndaj Seviljes bëri që formacioni i trajnerit Zidan të ketë 87 pikë, po aq sa Barcelona, ndërsa i mbeten edhe dy ndeshje për të luajtur, ndaj vetëm një të katalanasve. Ajo që do të vendosë, mesa duket do të jetë ndeshja e shtyrë që do të zhvillohet në fushën e Seltës, në fund fare.

Në “Santiago Bernabeu”, Reali dominoi ndaj Seviljes së dobësuar që pati 6 mungesa, ndërsa rotacioni i Zidanit mori fund. Ronaldo shënoi dy gola duke treguar formën e tij të madhe, ndërsa një e realizoi Naço dhe të fundit top në rrjetë e dërgoi Toni Kros. Sevilja shkurtoi në 1-2 me Stevan Jovetiçin.

Po 4-1 suksesi i Barçës në fushën e Las Palmasit. Edhe pse Lionel Mesi ishte në fushë, ai nuk shënoi, por ndihmoi shokët. Nejmar realizoi tre gola dhe Suarez një tjetër, ndërsa Bigas ishte i vetmi fatlum për vendasit. Pas 37 javëve, Barça e Reali kanë nga 87 pikë, me katalanasit në kuotën e 112 golave të shënuar.

Sfidanti.al