Reali i Madridit nuk arriti ta mbante vendin e parë në listën e klubeve të futbollit më të pasur të botës. Spanjollët jo vetëm që zbritën nga kreu, por ranë në pozicionin numër 3. Është Mançester Junajtid që u ngjit përsëri aty ku ishte 11 vjet të shkuara, i ndaluar këtë periudhë nga dominimi madrilen. Të dhënat financiare të revistës “Forbs” (Forbes) tregojnë se “djajtë e kuq” patën një xhiro totale të të ardhurave prej 689 milionë eurosh sezonin e kaluar.
Në vendin e dytë u rendit Barcelona me diferencë, pasi katalanasit patën të ardhura prej 620.2 milionë eurosh. Reali është tashmë i treti, me shifrën e gjeneruar prej 620.1 milionë eurosh, pra shumë-shumë pranë katalanasve rivalë.
I përhershmi Bajern i Mynihut nuk iu nda vendit të katërt. Gjigandët e Gjermanisë arkëtuan plot 592 milionë euro, dhe nuk janë larg vendit të dytë. Më pas, vijnë anglezët e Mançester Sitit me 524.9 milionë euro të ardhura, francezët e Paris SG me 520.9 milionë, Arsenali me 468.5 milionë euro, Çelsi me 447.4 milionë, Liverpuli me 403.8 milionë euro dhe Juventusi shumë më prapa tyre me 341.1 milionë euro.