Barcelona duket se do të veprojë shpejt për kontratën e re të Lionel Mesit. Klubi pritet t’i ofrojë rinovimin yllit të tij më të madh, deri në fund të këtij muaji. Mediat katalanase njoftojnë se vendimi është marrë nga presidenti Bartomeu, dhe shtojnë se Mesi ka mbetur shumë i kënaqur me këtë lajm. Kontrata e tanishme e numrit 10 përfundon në verën e vitit të ardhshëm, pra gjendja është kritike sipas praktikave të zakonshme mes klubeve dhe lojtarëve. Besohet se Mesi ka oferta nga Mançester Siti dhe nga Mançester Junajtid në Angli, diçka që nuk është pohuar kurrë zyrtarisht. Mediat nuk sqarojnë sesa mund të jetë paga e Leos në bazë të kontratës së re, por e qartë është se do të jetë më e madhe se ajo që merr aktualisht, që besohet se është mes 20 dhe 25 milionë eurove në vit.