Shqipëria është ende larg organizimit të vendeve të tjera të futbollit, diçka që në Federatë e dinë shumë mirë. Pavarësisht se kombëtarja shkoi në finalet e Europianit, ka hallka që mungojnë dhe që mendojnë për t’iu afruar qoftë edhe vendeve më të përparuara të rajonit. Presidenti Armand Duka, në konsultim me drejtuesit teknikë si ish-drejtori Tramexani apo Sekretari i Përgjithshëm, Shulku, kanë vendosur të hedhin një tjetër hap, të krijojnë dy ekipe të rinj përfaqësues, përveç atyre që aktualisht janë.
Burime në Federatë bëjnë me dije se presidenti Duka ka diskutuar me trajnerët e moshave, për të themeluar Shqipërinë U16 dhe atë U18. Nuk dihet ende koha se kur do të caktohen trajnerët e tyre dhe kur do të bëhen përzgjedhjet e para, por puna ka insur. Një nga njerëzit-kyç në projekt është tekniku i përfaqësueses U17, Xhemal Mustendanagiç, pasi boshnjaku vlerësohet lart nga Duka e Shulku, për nivelin dhe përvojën që zotëron. Po ashtu, pritet emërimi i drejtorit të ri teknik të Federatës, rol që për momentin mbulohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Shulku.
Krijimi i kombëtareve U16 dhe U18 është shumë i rëndësishëm për futbollin e çdo vendi, pasi ato janë një hallkë ndërmjetëse të ekipeve të tjerë të moshave, dhe lejojnë një zhvillim më të plotë të futbollistëve të përzgjedhur. Shqipëria ka pasur edhe më shumë mangësi, pasi vetëm kohët e fundit është krijuar edhe ekipi i lojtarëve deri në 15 vjeç.