Nuk është e lehtë të jesh përballë ish-skuadrës. Kjo mund të jetë e vërtetë për këdo, përveç Kevin Durantit. Ylli I Golden Stejtit, njëri nga më të mëdhenjtë e basketbollit botëror, zhvilloi ndeshjen e tij më të mirë, pikërisht kundër Oklahomës, ekipit me të cilin luajti deri vjet. Përsë dyti herë, ai u tregua fatal, këtë radhë duke shënuar 40 pikë, ndërsa në përballjen e parë të sezonti pati 39.
Përse ndodh kështu për Durantin? Trajneri I tij, Stiv Kerr, thotë se shkaku është se ai nuk ka pasur përvojë të mirë në atë klub. Basketbollisti me numrin 35 fitoi duelin me ish-shokun e tij të ekipit, Rasëll Uesbrukun, ashtu si Golden Stejti triumfoi me shifrat 121-100. Numri 0 shënoi më pak, 27 pikë, veçse sërish realizoi një “tripëll dabëll”.
Kjo ishte hera e 21-të për të që ia doli, ndërsa gjithë lojtarët e tjerë të NBA-së, nëse përjashton Xhejms Hardenin, ia ka arritur vetëm 18 herë. Uestbruk, po ashtu, luajti me shumë zemërim kundër Durantit, dhe besohet se nuk është aspak I kënaqur që ai në një farë mënyre e tradhëroi Oklahomën. Rasëll bëri ç’mos për të fituar, veçse ai ishte I vetëm kundër një formacioni që ka në përbërje kaq shumë lojtarë të mëdhenj.
Përveç Durantit, në fushë ishin Stefën Kërri, Klej Tompson apo Drejmond Grin, pa përmendur të tjerët. Oklahoma u mbajt deri në minutat e para të pjesës së tretë, por më shumë ishte e pamundur. Golden Stejti konfirmoi sërish vetveten si favoritja për titullin kampion që e humbi në finalen e vjetshme ndaj Klivlendit. Suksesi ndaj Thandërit erdhi pikërisht pas humbjes së thellë që Uorriors I shkaktoi Kavaliersit të Lebron Xhejmsit.