Reali bie në Gjermani, Ançeloti: Mëson më shumë nga një humbje sesa nga 10 fitore!

Trajneri italian e di se këto janë gjëra që u ndodhin edhe ekipeve më të mëdhenj. Reali i tij është i tillë, kampion i Europës dhe i Spanjës e që synon të jetë edhe kampion i botës, por kur shkon në Gjermani mund të ndodhë gjithçka. Një ekip “teuton”, qoftë Bajerni, Dortmundi, Lajpcigu apo Frankfurti, kur janë në ditën e tyre mund të “shkelin” çdo rival me stilin sulmues, agresiv, të shpejtë dhe me fuqinë fizike dhe atletike. Lajpcigu e mundi 3-2 Realin, ndonëse spanjollët mbete në vend të parë me 10 pikë ndaj 9 të rivalëve.

Kroati Joshko Gvardiol dhe pastaj sulmuesi Kristofer Nkunku konkretizuan fillimin me “blic krig” të gjermanëve, ndaj të cilit madrilenët nuk gjetën dot përgjigjen e duhur. Vinisius e bëri të vetën, të paktën shënoi një gol, por Timo Verner e mbylli praktikisht ndeshjen përpara sesa Rodrigo të shënonte golin e dytë të nderit me penallti. “Më shumë mund të mësosh nga një humbje sesa nga 10 fitore radhazi”, – ishin fjalët e trajnerit Ançeloti, që ishte kritik ndaj të vetëve duke u thënë se e nisën ndeshjen duke fjetur gjumë.

Sfidanti.al