Dëshirohej të kishte të paktën një përballje-bombë. Shorti i Ligës së Kampionëve hedhur në Nion të Zvicrës ua plotësoi dyfish shpresat tifozëve të futbollit, pasi goglat nxorrën jo një, por dy çifte të nivelit më të lartë.
I pari, Real Madrid-Paris SG, është një klasike e re, dueli më shumë i pritshëm mes superfuqisë historike të Championsit, dhe superfuqisë së re që kërkon t’i zerë vendin. Francezët kanë favorin e ndeshjes së dytë në shtëpi, pasi dolën në vend të parë në grup.
Sfida e dytë, Çelsi-Barcelona. Dy klubet mbahen mend për të paktën tri përballje të 12 viteve të fundit dhe për polemika të mëdha. Dy herë është kualifikuar Barcelona, dhe një herë Çelsi, me të dyja skuadrat që arritën të fitonin Ligën e Kampionëve, përkatësisht në 2006, 2009 e 2012.
Të tetat e finaleve, gjithsesi, kanë edhe duele të tjerë të fortë. Nënkampionia e Europës, Juventus, do të duhet të ndeshet me Totenhemin anglez, një nga ekipet më në formë të kompeticionit deri tani. Më e lehtë për fuqinë tjetër të madhe, Bajernin që ka përballë turqit e Beshiktashit.
Anglia që ka 5 përfaqësues në Ligën e Kampionëve, pati short të pranueshëm për ekipet e veta. Mançester Siti shkon në fushën e Bazelit, Liverpuli luan ndaj Portos, ndërsa Mançester Junajtid e ka pak më të vështirë ndaj Seviljes spanjolle. Së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, Roma e Serisë A do të duhet të matet me kampionen e Ukrainës, Shahtarin me përvojë. Ndeshjet e para do të luhen në 13-14 shkurt e në 20-21 shkurt, dhe ndeshjet e kthimit në 6-7 mars si dhe në 13-14 mars.
Bajern-Beshiktash
Juventus-Totenhem
Bazel-Mançester Siti
Porto-Liverpul
Sevilja-Mançester Junajtid
Real Madrid-Paris SG
Çelsi-Barcelona
Shahtar-Roma
Sfidanti.al