Morati tregon një sekret të largimit të Murinjos për tek Reali

Finalja e Championsit në 2010 luhej në “Bernabeu”, në stadiumin e Realit. Përballja ishte Inter-Bajern, por shtëpia ishte e Florentino Perezit. Presidenti madrilen e pati shumë të lehtë të gjente rrugën për tek Zhoze Murinjo, dhe ish-presidenti interist, Masimo Morati, kujton skenën që i bëri përshtypje të keqe. “Nuk ishte aspak me klas pamja e makinës së Perezit pranë “Bernabeut”, – tregon miliarderi 72-vjeçar, – Murinjo më kishte thënë që një vit përpara se e kërkonte Reali, dhe pastaj kjo gjë u përsërit”.

Morati thekson se “nuk mund të mbaj të burgosur njerëzit, por mënyra sesi ndodhi nuk ishte aspak e bukur”, dhe shton se Murinjo vetë e kuptoi se veprimi i tij kishte qenë i gabuar. Pikërisht në mbrëmjen e triumfit të madh, të fitores së Championsit nga Interi pas 45 vitesh.

“Në zyrën time në Milano, – kujton Morati, – erdhi Murinjo dhe më tha se e kuptonte mirë se po shkonte në një kompani biznesi, dhe jo në një familje, dhe më tha edhe se, nëse do të dëshiroja, mund të qendronte tek Interi. Ia ktheva që të bënte zgjedhjen e tij lirisht, siç u kam thënë të gjithëve. Padyshim, lotët e tij ishin të vërtetë dhe më vjen mirë që Murinjo edhe sot thotë se skuadra e tij është Interi”.

Sfidanti.al