Rashica, nga golat për Verderin, tek ëndrra për Ligën e Kampionëve!

Mund të jetë ndoshta sezoni i fundit këtu. Milot Rashica vazhdon të shkëlqejë për Verderin e Bremenit në Bundesligën gjermane, dhe deri tani ka shënuar 3 gola e ka dhënë një asist, ndërsa një tjetër rrjetë e ka në Kupën e Gjermanisë. Shqiptari i Kosovës është gati të hedhë hapin tjetër të madh, ndërsa u tregua vendimtar edhe këtë fundjavë, duke realizuar sërish.

Kjo ndodhi në ndeshjen e kësaj të shtune, në fushën e Leverkusenit të fortë, që përfundoi 2-2 dhe ku Rashica tundi rrjetën për barazimin e përkohshëm 1-1. Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës ishte në fushë për 80 minuta, dhe u vlerësua lart nga mediat gjermane. E përditshmja “Vezer Kurir” komenton: Fridli me stres, Rashica i papërmbajtshëm! Gazeta e vlerëson shqiptarin e Kosovës me notën 2, si më të mirin në fushë.

Drejtuesit e Verderit duan që ta mbajnë edhe më tej, por nuk do të jetë e lehtë dhe bisedimet për një kontratë të re, përtej vitit 2022, kanë ngecur. Agjenti i Rashicës, ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Altin Lala, thekson se “Miloti dëshiron që në të ardhmen të luajë në Champions”, dhe shton se “pesë klube e kërkuan në verë, dhe ne nuk do të nxitohemi, ndonëse ai është përshtatur mirë tek Verderi”.

Një talent i vërtetë, Rashica ishte pjesë e Shqipërisë U21 në vitet 2015-2016, duke luajtur disa ndeshje e duke shënuar një gol. Më pas, ai u thirr në kombëtare nga trajneri Xhani De Biazi, por u la jashtë skuadre për finalet e Euro 2016-ës, pasi trajneri italian u mbështet tek lojtarët që kishin kontribuuar për kualifikimin. Pas kësaj, djaloshi 23-vjeçar nga Vushtrria zgjodhi të luajë për Kosovën e pranuar nga FIFA dhe UEFA, e tashmë është një nga lojtarët më të mirë të ekipit përfaqësues që po habit Europën.

Sfidanti.al