Është një yll i afirmuar në një nga katër ligat më të forta të botës. Ka bërë jo pak rrugë Milot Rashica, shqiptari ende i ri nga Kosova, që po shkëlqen në Bundesligë, ku pritet të bëjë një tjetër hap për lart. Që nga Verderi i Bremenit, sot skuadër modeste, sulmuesi mund të shkojë tek Borusia e Dortmundit, të paktën sipas lajmeve që vijnë nga Kosova, por edhe nga Gjermania. RTV Dukagjini raporton për një lëvizje të tillë, pra që Dortmundi e do Rashicën për të zëvendësuar Shejdën Sançon që pritet të kthehet në Angli. Operacioni mendohet se do të jetë me përfitim të madh për verdhezinjtë, pasi Sanço mund të kushtojë 120 apo 140 milionë euro, ndërsa Rashica nuk besohet se shkon më shumë se 15 milionë euro. Verderi e mori për 7 milionë në janar 2018 nga Viteshe Arnhem e Holandës. Agjenti i Rashicës, Altin Lala, thotë se “për ne nuk është aspak temë largimi në dimër”, ndonëse duhet theksuar se largimi nga Holanda u bë pikërisht në dimër.
Sfidanti.al