“Qiellori” Mesi, tre gola për Championsin që synon Barcelona

Ishte thënë deri në lodhje që në nisje të sezonit, se objektivi parësor i Barcelonës do të ishte Championsi. Trajneri Valverde sikur e uli pak “gazin” para startit të kësaj gare, duke thënë se “këtë e duan edhe shumë ekipe të tjerë”, por Lionel Mesi e bëri menjëherë të qartë, se askush nuk e do më shumë sesa ai. Magjistari argjentinas realizoi 3 gola në suksesin 4-0 të katalanasve ndaj PSV Ajndhovenit në “Kamp Nou”, një paralajmërim për ata që ndoshta nuk besojnë, dhe që nuk e përfshinë në treshen e më të mirëve as të Lojtarit të vitit të UEFA-s dhe as të Lojtarit më të mirë të vitit të FIFA-s.

Së pari, zhbllokoi shifrat me goditjen e dënimit, pastaj shtoi edhe dy gola, pasi Dembele kishte realizuar për 2-0. Përballë një skuadre holandeze që u përpoq dhe pati rastet e saj, përgjigja e Barçës dhe trajnerit Valveder ishte gjithnjë “Mesi”, një përgjigje fituese. Superylli ka 103 gola në 126 ndeshje në Champions në karrierë dhe 7 gola në 6 ndeshje këtë sezon.