Qeveria britanike bisedon me UEFA-n: Finalen e Championsit në Londër!

Nuk është ende e vendosur, por kontaktet kanë nisur. Mediat britanike njoftojnë se qeveria e kryeministrit Boris Xhonson ka nisur bisedimet me UEFA-n me synim që ta zhvendosë finalen e Championsit nga Stambolli në Angli, me shumë gjasë në “Uembli” të Londrës. Dy skuadra angleze, Mançester Siti e Çelsi do të diskutojnë trofeun, ndërsa UEFA ka deklaruar se do të lejojë nga 4 000 tifozë të secilit ekip që të jetë në stadium në 29 maj. Problemi është se Britania e Madhe vazhdon të mbajë karantinën për disa vende dhe mes tyre është edhe Turqia. Kjo do të thotë se lojtarët e kombëtares angleze, që luajnë për dy klubet, do të duhet të karantinohen 10 ditë pas kthimit, ndërsa ata duhet të jenë me ekipin përfaqësues sepse 15 ditë pas finales do të nisë Kampionati Europian. Gjithsesi, nuk dihet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje sepse Stambolli pret finalen prej dy vjetësh. Vjet, u detyrua të hiqte dorë për shkak se Europa ishte në kulmin e pandemisë së koronavirusit, dhe gjithçka u zhvendos për në Lisbonë, pra autoritetet turke nuk do të kishin dëshirë të mbeteshin sërish pa finalen e Championsit.

Sfidanti.al